“Madridi duhet t’i bëjë gjithashtu një dokumentar kapitenit”. Një opinionist i gazetës “Marka” gjykon pikërisht kështu dhe ka të drejtë, pasi Reali fitoi në fushën e Seviljes për La Ligën, duke pasur në formacion më në fund Sergio Ramosin. “Me Ramosin” ndryshon shumë nga “pa Ramosin”, siç ndryshuan shumë ndeshjet në Sevilje me atë në Paris për Championsin.
Nga katastrofa 0-3 në fitore autoritare 1-0, me një gol të vetëm të Karim Benzemasë, lojtarit tjetër të domosdoshëm të Zidanit. Flet shumë fakti se më i miri në fushë për vendasit ishte portieri Vaclik, që i shpëtoi nga një humbje edhe më e rëndë në sytë e mbi 42 000 spektatorëve. Pra, Reali është serioz me Benzemanë, por edhe me Ramosin, që të dy të domosdoshëm. Gjithsesi, pavarësisht peshës së madhe të dy yjeve, Zizuja hodhi në fushë një ekip me emra personalitetesh dhe talentesh në Sevilje.
Ja ai: Kurtua, Karvahal, Ramos, Varan, Mendi, Kasemiro, Kros, Hames Rodrigez, Bejl, Hazar, Benzema. Në pritje të Modriçit, me shtesën e Lukas Vaskezit, me përshtatjen e Joviçit, Militaos, Valverdes e Rodrigos, si dhe me kthimin nga dëmtimi edhe të Asensios, besohet se Madridi do të jetë rival për titull, ndërsa për momentin e ndaj kreun me Atletikun e Bilbaos.
Sfidanti.al