Çudia më e madhe tre ditë zgjat, por këtë herë mund të jetë ndryshe. Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, ndodhet në një nga momentet më të vështirë të karrierës së tij, pas publikimit të zërit të tij në një bisedë private ku flet keq për disa nga legjendat e klubit. Fillimisht, u botua pjesa e audios ku Perezi ofendon pas krahëve ish-portierin Iker Kasijas dhe ish-sulmuesin Raul Gonzales, ndërsa së fundmi doli edhe pjesa ku përgojoi duke fyer Kristiano Ronaldon e Zhoze Murinjon. Vetë Perezi ka kaluar në kundërsulm, duke pretenduar të shkojë në gjyq për dëmtim të privatësisë, ndërsa thotë se po e sulmojnë për shkak të projektit të Superligës Europiane.
Biseda është e 2006-ës, kur ai ishte larguar nga presidenca, për t’u kthyer disa vjet më vonë. “Kasijas nuk është portier për Realin, – tha atëherë Perezi, – as nuk është dhe as nuk ka qenë ndonjëherë. Ai është një nga dështimet tona më të mëdha. Tifozët e adhurojnë shumë, nuk e di përse e mbrojnë kaq shumë. Ai është një nga mashtrimet e mëdha, i dyti është Rauli. Rauli është i keq, ai mendon se Madridi është pronë e tij dhe bën gjithçka që ta shfrytëzojë për të mirën e tij. Ai është një figurë negative, po shkatërron Madridin dhe moralin e lojtarëve. E pamundur ta imagjinosh sesa i keq është ky djalë”. Problemi me Raulin është më i mprehtë sepse ish-rekordmeni i golave të klubit është trajner i ekipit të dytë të Realit.
Për Ronaldon dhe Murinjon, Perezi u shpreh se “ata janë idiotë të sëmurë që kanë një ego të tmerrshme, në një bisedë të vitit 2012. Ai theksoi se ata bëjnë gjëra të çmendura, dhe se janë tërbuar nga paratë që fitojnë, ndërsa me urrejtje për agjentin e tyre, Zhorge Mendes. Nuk dihet sesa do t’i prishë punë kjo Perezit dhe Realit në një moment delikat, kur janë të sulmuar nga UEFA për projektin e Superligës Europiane, ndërsa La Liga spanjolle kërkoi që klubi të ulte totalin e pagave duke kërcënuar ta dëmtojë edhe në aspektin sportiv.
Sfidanti.al