Një zgjidhje alla Mesi…blen komshiun e paedukuar

Zakonisht, kur një fqinj na shqetëson, ne përpiqemi ta bindim që të ndryshojë sjellje. Mund të ketë zhurma nga sherret apo pakujdesitë, apo dëmtime të ndryshme për faj të fqinjit, dhe nëse metoda “e kulaçit” nuk bën punë, shpesh ndodh që kalohet te “kërbaçi”. Kjo, më së shumti në Shqipëri apo vende si ne, ndërsa në Europë, kuptohet lajmërohet policia dhe gjërat zgjidhet.

Veçse, edhe Lionel Mesi jeton në Europë, madje në një nga qytetet më modernë siç është Barcelona, por një shqetësim të tillë ai e zgjidhi krejt ndryshe. Shoku i tij i skuadrës, Rakitiç, tregon se ylli argjentinas pati shqetësime nga një fqinj dhe vendosi të … blinte shtëpinë e komshiut. Kështu ra i qetë. Pra, të nderuar njerëz, ja ku keni një mënyrë që nuk u kishte shkuar në mendje më parë, paguajini p.sh. 40 apo 50 mijë euro në dorë fqinjit tuaj problematik dhe gjithçka zgjidhet.

Si? Nuk iu duket gjëja e duhur? Po kush ua ka fajin që s’blini dot fqinjin? Le t’i lemë shakatë. Nëse këtë sjellje do ta kishte bërë një njeri jo i admiruar si Mesi, opinioni do të thoshte “tangërllëk prej firauni”. Po për Mesin çfarë thonë në Barcelonë?

Sfidanti.al