Nuk është se i mungon përvoja me trajnerët. Dani Karvahal ka punuar me disa prej tyre, ndërsa me vlerësimin e bërë së fundmi, tregoi se nuk ka asnjë grimë konformizmi. Mbrojtësi i Realit lavdëroi fort Hulen Lopetegin, teknikun e shkarkuar pak ditë më parë nga presidenti Florentino Perez, madje duke i bërë një kompliment sipëror. “Ishte trajneri më i mirë me të cilin kam punuar, – u shpreh ai, – por, i mungoi fati që duhej për të vazhduar me ne”.
I duhet thënë një “të lumtë” e madhe Karvahalit, pasi zakonisht njerëzit në futboll kapen pas të tashmes, në radhë të parë për të mos dëmtuar frymën e grupit dhe për të mos krijuar xhelozi e qejfmbetje. Karvahal, si kampion i madh, nuk e pati problem se Ançeloti apo Zidan do të rrudhin buzët, ndërsa nuk besohet se ka ndonjë shqetësim për Solarin, pasi edhe vetë trajneri i tanishëm i Realit, e di se nuk mund të quhet, aktualisht, si një nga teknikët më të mirë të “merengesve”.
Sfidanti.al