Si Lizarazu e Riberi, kampioni i botës drejt Bajernit

Bavaria ka qenë vërtet aleate e Francës për disa shekuj, përpara sesa Gjermania të bashkohej, veçse nuk mund të mendohet si vendi ideal për futbollistët më të mirë francezë. Gjithsesi, në mbi 20 vjet, në Mynih kanë jetuar e luajtur futboll legjenda të tilla si Biksent Lizarazu apo Frank Riberi (që vazhdon ende), ndërsa në radhë pret një tjetër.

Kampioni i botës, Benzhamen Pavar (Benjamin Pavard), besohet se ka rënë dakord me kampionët e Bundesligës për të mbërritur në “Alianc Arena” verën e ardhshme, pra në qershor 2019. Pavar nuk do të kushtojë “qimet e kokës”, pasi transferimet brenda Bundesligës nuk e kanë kapur çmendurinë e Anglisë apo Spanjës dhe Bajerni pritet t’i japë Shtutgartit 35 milionë euro. Trajneri Kovaç do ta kishte dashur Pavarin që këtë verë, por Shtutgarti e shtyu largimin për një vit.

Marrëveshja u arrit në Moskë, në 26 qershor, në ditën e ndeshjes Francë-Danimarkë për fazën e grupeve në Kupën e Botës, dhe bisedimet për Bajernin i zhvilloi juristi i njohur, Mihael Gerlinger.

Sfidanti.al