Mesi-Fati dhe plani i Ronald Kumanit tek Barcelona!

Ka shënuar 7 gola e nuk ka pësuar asnjë, ndërsa për më shumë se 45 minuta luajti me 10 lojtarë në stadiumin e Vigos. Asnjë punë nuk i prishi kjo Barcelonës që është me pikë të plota në dy ndeshje të La Ligës, e duket se vuajtjet e sezonit të kaluar janë lënë pas. Prania e trajnerit Ronald Kuman, që duket se ka autoritet, ambicia e pafundme e Lionel Mesit, dhe margaritari Ansu Fati janë arsyet kryesore që kjo Barçë po buzëqesh. Fati shënoi një tjetër gol, këtë herë në fushën e Seltës, shumë të bukur, dhe u barazua me Bojan Krkiçin për numrin e golave të shënuar për blaugranët nga një lojtar ende jo 18 vjeç. i duhet edhe një gol për të barazuar rekordin e mbajtur nga Pablo Pombo Kintana që në 1933-1934.

Mesi ishte i pranishëm kudo, edhe pse nuk shënoi, ndërsa ishte ai shkaktari që Olasa shkaktoi autogol në portën e vet në 51’. Një gol tjetër u shënua nga Sergi Roberto. Tashmë me Kumanin, Barcelona ka një katërshe ofensive të përbërë nga Grizman, Mesi, Fati e Kutinjo, me brazilianin që po luan gjithnjë e më mirë. Deri tani dora e Kumanit po ndihet dhe plani i tij po ecën për mrekulli. Nuk është çudi që Barcelona ta fitojë kampionatin, ndonëse jemi ende vetëm në javën e 3-të.

Sfidanti.al