E deshi apo jo Ronaldo golin e shënuar nga Alvaro Morata? U tregua apo jo egoist kandidati kryesor për të fituar Topin e Artë, aq sa më mirë të mos fitonte skuadra sesa protagonizmin ta merrte dikush tjetër? Veprimi i Kristianos në minutën e 83-të të ndeshjes në “Bernabeu” ndezi përsëri diskutime. Mediat në Madrid shkruajnë se portugezi deshi thjesht të sigurohej që goli i Moratës ishte i rregullt, por në Barcelonë thuhet e kundërta, pra që ai e ngriti dorën për t’i thënë vijërojtësit se goli ishte pozicion jashtë loje.
Në rrjetet sociale pati shumë debat dhe mjaft sulme. Shumë tifozë (katalanas apo të tjerë) e akuzuan Ronaldon se vazhdon të mbetet egoist i pandreqshëm, ndërsa është fakt se në “Bernabeu” numri 7 u vërshëllye, ndoshta sepse deshi me patjetër të shënonte gol dhe nuk ia doli. Marrëdhënia e tij me tifozët e Realit, dhe me vetë disa nga shokët kryesorë të skuadrës nuk ka qenë kurrë e lehtë, dhe kjo nuk përbën sekret.
Gjithsesi, Ronaldo i sotëm në moshën 31-vjeçare dhe në prag të fitimit të Topit të katërt të Artë, nuk duket ai i dikurshmi. Titulli i fituar me Portugalinë, dhe roli që ai ka luajtur në dhomat e zhveshjes së portugezëve dhe të madrilenëve, për fitimin e trofeve të fundit, flasin shumë. Për më tepër, vështirë të quhet egoist një lojtar që jep më shumë asiste sesa shënon gola, si Kristiano i këtij edicioni. Veçse populli e ka një shprehje: “Më mirë syri, se nami”.
B. Kuka