Mbape e Nejmar? Realit i duhet më parë firma e Benzemasë

Ka 10 vjet që mban veshur këtë fanelë, dhe nuk po i mërzitet. Bluzës “merenges” të Karim Benzemasë nuk po i del aspak boja, madje po bëhet gjithnjë e më e re, dhe Reali i Madridit është i bindur se duhet të bëjë një investim tjetër. Sulmuesit francez i përfundon kontrata në 2021 dhe në “Santiago Bernabeu” nuk kanë se çfarë presin. Numrit 9 i duhet rinovimi, dhe projekti, sipas gazetës “Marka” është për kontratë deri në 2023, me një rritje rroge. Benzema fiton sot afërsisht 8 milionë euro në vit, dhe shifra mund të shkojë në 9 apo 10 milionë.

Pak rëndësi ka për presidentin Florentino Perez dhe trajnerin Zidan, që Benzema mbush 32 vjeç në 17 dhjetor të këtij viti, pra në 2023 do të ishte gati 36. Akordi i ri me të është prioriteti i Perezit, për momentin edhe më shumë sesa planet e mëdha për Kilian Mbapenë, apo ndoshta për Nejmarin. Benzema është shënuesi më i mirë i Realit këtë sezon, me 11 gola në 15 ndeshje, nga të cilët 9 në La Liga.

Sfidanti.al