Sa i vështirë plani për të zëvendësuar Mesin, Pikenë dhe Busketsin!

Në vitet 2008-2015, Barcelona ishte ndoshta skuadra më e mirë që kishte parë historia e futbollit. Nën drejtimin e trajnerëve Guardiola e Luis Enrike, katalanasit fituan gjithçka, duke pasur në fushë një ekip gjigandësh. Kanë kaluar 11 vjet që kur cikli nisi dhe duket se gjithçka po përfundon, siç ndodh gjithmonë në shoqërinë njerëzore.

Ksavi, Iniesta, Valdes, Pujol, Dani Alvesh, David Vija, Pedro, Eto, Maskerano apo Abidal që të gjithë janë larguar, dhe sidomos ndihet shpërndarja e treshes së madhe Mesi-Ksavi-Iniesta. Në Barçën e sotme janë ende 3 lojtarë të asaj kohe, pikërisht Lionel Mesi, Gerard Pike dhe Sergio Buskets. Edhe për këta po vjen koha që të zëvendësohen, duke qenë përkatësisht 32, 33 e 31 vjeç.

Zëvendësimi më i vështirë do të jetë ai i Mesit, dhe plani është që superylli i radhës të jetë Ansu Fatih. Në “Kamp Nou” shpresojnë që t’ia dalë. Buskets mund të ketë pasardhës Frenki De Jongun, edhe pse holandezi duhet ende të mësojë shumë nga mjeshtri. Tri humbje jashtë fushe që ka pësuar Barcelona këtë sezon kanë qenë të gjitha kur Busketsi është lënë pushim. Gerard Pike duhet zëvendësuar ndoshta më shpejt, pasi është 33 vjeç, dhe ka impenjime të tjera jashtë profesionit, si drejtues i Kupës Dejvis në tenis, apo pasi ka blerë një klub tjetër futbolli. “Unë mezi fle 4-5 orë në ditë”, – ishin fjalët e tij që tmerruan tifozët. Drejtuesit e Barçës mendojnë se për Pikenë duhet të bëjnë sakrificën e madhe të blerjes së Matijs De Ligtit nga Juventusi.

Sfidanti.al