Infermieria e Realit boshatiset përpara finales së Kievit

Tifozët madrilenë mund të jenë të qetë. Reali i tyre do të jetë i plotë në finalen e Championsit, përjashto ndonjë fatkeqësi të minutave të fundit. Gazeta “Marka” njofton se infermieria e klubit spanjoll është boshatisur dhe se trajneri Zidan i ka në dispozicion të gjithë yjet, në synimet e tij për të fituar Ligën e Kampionëve për herë të tretë radhazi.

Reali zbret sot në fushë pas dy ditësh pushim dhe të vetmit që mund të vonohen edhe pak janë Kristiano Ronaldo e Karvahal, që kanë pasur dëmtimet më të fundit apo më serioze. Isko u kthye që në ndeshjen ndaj Seltës në La Liga, ndërsa e sigurt është që edhe Ronaldo e Karvahal nuk kanë aspak probleme.

Zidan mund të ndihet i lumtur që të paktën është më fat pikërisht tani. Sezoni i gjatë ka qenë i mbushur me probleme dhe llogaria del që Reali ka pasur 36 dëmtime, të cilët padyshim kanë ndikuar në paraqitjen jo aq të mirë në kampionat dhe në Kupën e Mbretit. Bejl, Ramos apo Varan janë dëmtuar nga tri herë secili, ndërsa Vajeho katër herë, por tashmë ndaj Liverpulit nuk ka më dhimbje koke.

Sfidanti.al