Pikëpyetjet nisën që në verë, sidomos në katastrofën 3-7 ndaj Atletikos. Edhe pse një ndeshje përgatitore, ajo tregoi se Zinedin Zidanit mund t’i ndodhte që t’i shpëtonte plotësisht skuadra nga dora. Duket se kjo po ndodh gjatë sezonit, madje që në fillim, siç u kuptua qartë në Champions, dhe titujt e gazetave ishin “Zidan humb kreditin”, e më pas, “tek Reali po dyshojë për vendimet e Zidanit”, apo “Zidan në shënjestër”.
Hapi tjetër vjen shpejt, dhe gazeta “Marka” njofton se kandidatë për ta zëvendësuar janë Zhoze Murinjo, Masimiliano Alegri dhe Raul Gonzales. i pari, ish-madrilen, i dyti një trajner i respektuar nga Italia që është mësuar të punojë me yjet, i treti një legjendë e shtëpisë.
Presidenti Florentino Perez ishte mbështetësi më i madh i Zidanit, por si drejtues dhe si biznesmen, ai sheh qartë realitetin. Nëse kupton se Zidan nuk mund ta motivojë skuadrën, nëse sheh që Reali ka humbur ambicien dhe nuk reagon dot, nëse sheh që dështohet edhe pse u shpenzuan 303 milionë euro në verë, përfundimi del vetë që i larguari duhet të jetë trajneri.
Sfidanti.al