Hero në Botëror, por Mina rrezikon tek Barcelona

I çuditshëm ky futbolli! Kur një lojtar shkëlqen në Botëror duke shënuar gola e duke ndihmuar skuadrën, sidomos duke qenë mbrojtës, për të nuk mund të ketë veçse të ardhme shumë të mirë. Nuk pritet të jetë kështu për Jerri Minën tek Barcelona. Qendërmbrojtësi gjigand kolumbian mund të jepet hua sezonin e ardhshëm, edhe pse shënoi 3 herë në Rusi, shumë më tepër sesa Lionel Mesi.

Djaloshi 23-vjeçar, që hyri me këmbë zbathur në “Kamp Nou” gjatë prezantimit (për arsye fetare), nuk u përshtat shpejt me stilin katalanas. Partneriteti i tij me Tomas Vermelenin, madje u quajt me ironi “Tomi dhe Xherri”, dhe Mina besohet se ka një karakter të vështirë. Huazimit të tij mund t’ia verë vulën marrja e mbrojtësit të qendrës, Lengle. Gjithsesi, Barcelona nuk besohet se do ta shesë kartonin e Jerri Minës.

Sfidanti.al