Sergio Ramos është kapiteni i Realit dhe e meriton që të jetë, por jo gjithnjë është i panjollë. Episodi i fundit negativ i karrierës i ndodhi në fushën e La Korunjës, ku u ngatërrua më parë me një shok të skuadrës, dhe pastaj me kundërshtarët duke dalë me karton të kuq. Reali nuk është se e ndjeu shumë, pasi arriti të fitonte 3-0 ndeshjen e parë të kampionatit, veçse sjellja e kapitenit me siguri nuk i ka pëlqyer trajnerit Zinedin Zidan.
Në një moment, një lojtar vendas ishte i shtrirë përtokë dhe Zidan po i thoshte të vetëve që ta nxirrnin topin jashtë, por Ramos nuk e bëri një gjë të tillë. Ai pasoi tek Luka Modriç, dhe kroati iu përgjigj asaj që kërkoi trajneri, duke e hedhur topin jashtë vijave kufizuese të fushës.
Kjo nuk i pëlqeu Ramosit që i foli Modriçit, por ndërkaq fjalët e tij u dëgjuan nga futbollistët e Deportivos që e rrethuan dhe nisën t’i bënin presion. Në atë moment, mbrojtësi spanjoll nuk i pati nervat në rregull dhe reagoi, duke shtyrë e duke sharë, por mori si shpërblim një karton të kuq. Të shohim sesi është sjellë Zidan me të, ndërsa në ndeshjen radhës Ramos do të jetë mungesë, ashtu si Kristiano Ronaldo.
Sfidanti.al