U mor për nja 112 apo 120 milionë euro nga Benfika dhe cilësohej si “Mesia i ri”. Zhoao Feliksi nuk po shihet edhe aq shumë i tillë këto kohë, ndërsa në ndeshjen e djeshme fituar 3-0 nga Atletiko ndaj Majorkës, trajneri i tij Simeone e zëvendësoi që në minutën e 54-ët. Kur doli nga fusha u duk qartë se 20-vjeçari portugez ishte tepër i mërzitur, dhe se nuk po i pëlqente aspak sesi po e trajtonin, e natyrisht që Diego Pablo Simeone u pyet për këtë gjë në konferencën për shtyp pas ndeshjes së La Ligës.
“Ne besojmë në mënyrë absolute në cilësitë e tij, – ishin fjalët e argjentinasit, – në talentin dhe në mënyrën sesi luan futboll, dhe kemi nevojë që ai ta bëjë këtë në fushën e lojës. Ne nuk i frenojmë individualitetet, por objektivi është që të forcohen individualitetet për të përmirësuar kolektivin. Ndaj Osasunës e nisi mirë, pati dhe dy ndeshje të mira, por sot nuk u duk shumë mirë, dhe patëm nevojë për Vitolon, që luajti shumë mirë dhe që punoi fort për atë që i duhej ekipit. Ua kam thënë të gjithëve, të rinjve dhe më veteranëve, që tek Atletiko vihet për të fituar, për të dhënë maksimumin, për këto gjëra nuk ka kompromis me askënd”.
Sfidanti.al