Çfarë “viroze” kanë së bashku Barcelona dhe Reali në La Liga?!

Duket sikur po e teprojnë me mirësjellje duke ftuar njëra-tjetrën për të fituar titullin. Barcelona dhe Reali i Madridit sikur po kthehen në vitet 70-të, kur “kishin rënë nga vakti” në Europë, ndaj edhe niveli i tyre në Spanjë dukej mediokër. Katalanasit dhe madrilenët zhgënjyen këtë të shtunë, me të parët që u mundën nga modestët e Levantes (1-3), dhe me të dytët që u ndaluan në “Bernabeu” nga Betisi. Kritikat po shtohen për trajnerët Valverde e Zidan, ndonëse më shumë rrezikon i pari sesa i dyti.

Futbollistët e Barçës nuk kanë qenë të kënaqur me mënyrën e lojës, dhe kjo indirekt nënkupton fajin e trajnerit. Ka raste kur goli dhe loja e Mesit nuk mjaftojnë, dhe kështu ndodhi në stadiumin e Levantes. Edhe më shumë u mërzitën tifozët e Realit, pasi skuadra e tyre e mori “dhuratën” dhe nuk diti ta shfrytëzojë. Fitorja ndaj Betisit do ta kishte nxjerrë të vetme në krye, por energjia dhe ambicia nuk mjaftuan në “Bernabeu”. Gjithsesi, Zidan u shpreh i kënaqur, pavarësisht rezultatit. “Patëm ritëm, lojë, denduri, gjithçka ishte e përsosur, por nuk mundëm ta fusnim topin në rrjetë”, – tha tekniku francez.

Sfidanti.al