Rikthehet ‘Njeriu Merimangë’? Udineze mendon për Valter Zengën

11 golat e pësuar brenda 3 ditëve rezultuan fatale për Igor Tudor që u shkarkua zyrtarisht si trajner i Udinezes. Tashmë klubi friulan ka nisur kërkimet për pasuesin e tij, ndërkohë që për ndeshjen e së dielës me Xhenoan, skuadrën do ta drejtojë asistenti i Tudor, Luka Goti

Por cili do të jetë ai që do të ulet në stolin e Udinezes pas ndeshjes në Marasi? Emrat që qarkullojnë këto orë janë të shumtë ku spikasin ata të Kolantuonos, Guidolin dhe Marino, ndërkohë që janë përmendur edhe Di Biaxho, Balardini e Karrera. Por sipas ‘Sportitalia’, në pole position është pikërisht Valter Zenga.

Tashmë janë rritur shumë mundësitë që Zenga i quajtur ndryshe si ‘njeriu merimangë’ të marrë drejtimin e Udinezes me ish portierin e Interit që do të rikthehet në Serinë A pas eksperiencës me Krotonen në vitin 2018. Drejtuesit e Udinezes e pëlqejnë shumë Zengën edhe për faktin se ai është në gjendje të flasë 4 gjuhë, një cilësi që do t’ia bëjë më të lehtë administrimin e një grupi poliglot si ai i Udinezes.

sfidanti.al