Zbulohen më në fund enigmat e kontratës së re të Lionel Messit që do të qëndrojë te Barcelona deri në vitin 2021. E përditshmja spanjolle ‘El Mundo’ publikoi të gjitha detajet e kësaj kontrate që e mban të lidhur yllin argjentinas me klubin katalanas që ndjeu hijen e Mançester Sitit. Mësohet se klubi anglez i kisjhte ofruar Messit 100 milionë Euro për firmën në kontratë për t’i garantuar një pagë prej 50 milionë Eurosh.
Kjo lëvizje e Citizens ‘zgjoi’ drejtuesit e Barcelonës të cilët u hodhën në kundërsulm duke i përgatitur kontratën e re me një pagë prej 75 milionë Euro bruto në sezon, pagë që shkon në 39 milionë Euro në vit nëse i zbriten detyrimet fiskale që për rajonin e Katalonjës janë 48%.
Kështu Lionel Messi me këtë pagë bëhet futbollisti më i paguar në botë, madje paga e tij është gati 2 herë më e lartë se ajo që përfiton rivali i tij Cristiano Ronaldo te Reali i Madridit. Por jo vetëm kaq, Messi me kontratën e re ka të drejtë që të përfitojë vetë të gjitha të drejtat nga imazhi, pa harruar këtu edhe shpërblimet e ndryshme. Me pak fjalë, Barcelona në total e mbuloi Messin me 350 milionë Euro duke larguar përffundimisht hijen e Mançester Sitit. Edhe besnikëria e ka një çmim dhe në rastin e Barcelonës një pagesë e tillë ia vlen.
sfidanti.al