Bejl shton milionat, por është sërish pas Mesit e Ronaldos!

Është një nga lojtarët më të mirë në botë dhe padyshim ndër më të paguarit. Garet Bejlit i është konfirmuar pozicioni i privilegjuar që ka tek Reali i Madridit, duke përfituar një rritje të rëndësishme të rrogës vjetore. Pagesa e tij do të jetë “qiellore”, por do të mbetet sërish “vetëm pak më prapa” se dyshja kryesore botërore, Mesi e Ronaldo.

Mediat britanike dhe ato spanjolle raportojnë se uellsiani do të paguhet me rreth 20 milionë euro në sezon, ndërsa Mesi e Ronaldo fitojnë nga 21 milionë euro secili. Gjithsesi, “kërcimi” financiar bën që ai të lerë prapa Nejmarin që, sipas “Deili Meilit” fiton me kontratën e re, 17 milionë euro në sezon.

Bejl ka firmosur rinovimin deri në vitin 2022, kohë kur do të jetë 33 vjeç, pra planifikon të luajë për një kohë të gjatë në “Santiago Bernabeu”. Në Madrid, ai mbërriti në 2013 duke thyer rekordin botëror të transferimeve me gati 100 milionë euro, ndërsa ka fituar dy Champions.

B. Kuka