Mali me malin nuk takohet, por njerëzit, po. Edhe i mbiquajturi “Roki i Vërtetë” u “poq” me “Rokin e Ekranit”. Manu Pakiao, boksieri i madh, pati një vizitë të papritur në palestrën ku po stërvitet për ndeshjen e radhës. Aty mbërriti Silvester Stalone, i cili bëri një fotografi me filipinasin.
Është e njohur që boksieri e pëlqen Stalonen dhe besohet se do të frymëzohet prej tij. “Roki i Vërtetë” Pakiao po stërvitet në “Uajld Kard Xhim” në Hollivud, ndërsa pikërisht në Hollivud ka krijuar lavdinë e tij “Roki i filmave”, Stalone.
Pakiao do të përpiqet të ringjallë karrierën e tij të jashtëzakonshme ndërsa tani është 37 vjeç, duke i ngjarë paksa rolit të Stalones, Roki Balboa. Filipinasi do të ndeshet shpejt me Xhesi Vargasin.
Pakiao boksoi për herë të fundit në prill ndaj Timoti Bredlit Xhunior dhe pastaj u tërhoq për t’iu përkushtuar politikës, por duket se nuk mund t’i ndahet shpirti nga sporti i jetës së tij. Ai ka fituar 58 ndeshje dhe ka humbur 6.
B. Kuka