Barcelona, e kërkuan rikthimin e tij; Mesi i grumbulluar për sfidën me Interin

Barcelona dhe tifozët e saj marrin lajme shumë të mira nga Lionel Mesi. Sulmuesi argjentinas, që pësoi një dëmtim në brryl në ndeshjen me Sevijën, është bashkuar me pjesën tjetër të skuadrës në stërvitje ditët e fundit edhe pse ajo nuk ka qenë e plotë. Në median spanjolle është folur për mundësinë e grumbullimit të tij për ndeshjen e së martës në San Siro ndaj interit për Ligën e Kampioneve, dhe kështu ndodhi. Trajneri Valverde vendosi që të marrë argjentinasin me skuadrën për këtë përballje ku Barcelona do të kërkojë të kualifikohet matematikisht në fazën e 1/8 të finaleve të këtij kompeticionit.

Vendimi i Valverdes për të grumbulluar Mesin për ndeshjen me Interin, duket sikur plotësoi dëshirën e lojtarëve më me peshë të skuadrës katalanase për të riparë në fushën e lojës kapitenin.

‘Edhe pa Messin gjërat na shkuan shumë mirë-tha Luis Suarez pas sfidës me Rajo Vajekano-por sa më shpejt që ai të kthehet aq më mirë për ne’.  Ndërsa  Xhordi Alba e kërkoi hapur rikthimin e  Lionel Mesit me të cilin ai kuptohet mjaft mirë në fushën e lojës. Po kështu edhe Ivan Rakitic e bëri të ditur se mezi e pret të luajë sërish përkrah sulmuesit argjentinas. ‘Duam që Luis Suarez të vazhdojë me shënimin e golave, por dëshirojmë të shohim sërish Messin në fushë, kështu që të dy ata do të shënojnë për të mirën e skuadrës-tha mesfushori kroat i kampionëve të Spanjës.

sfidanti.al