Barça gjen pasardhësin e Suarezit, por ka frikë nga rivalët

Identifikimi është bërë, madje është arritur edhe një marrëveshje. “Frankfurter Algemajne Cajtung”, gazeta e Frankfurtit, hedh dritë mbi operacionin më të fundit të Barcelonës për të gjetur pasardhësin e Luis Suarezit, dhe ky qenka sulmuesi i Ajntrahtit, Luka Joviç.

Serbi 21-vjeçar nuk pritet të jetë aq i kushtueshëm sa shumë futbollistë me emër më të madh, por duket po aq i zoti për të shënuar golat sa edhe ata. Jo më kot, Joviç është shënuesi më i mirë i Bundesligës me 14 gola, ndërsa mosha e tij tepër e re e bën të vlefshëm për shumë vite.

Gazeta gjermane raporton për akord mbi bazën e 50 milionë eurove, por duhet kujtuar se kartoni i Joviçit është në pronësi të Benfikës, ndërsa tek Frankfurti ai është në formë huazimi prej dy sezonesh. Barcelona, gjithsesi, duhet të nxitojë pasi sulmuesi i lindur në Bosnjë-Hercegovinë (në Republikën Srpska) pëlqehet edhe nga klube të tjerë. Që nga nëntori i vitit të kaluar, për të interesohej Liverpuli.

Sfidanti.al