Është 40 vjeç, në një moshë kur shokët e tij janë larguar nga sporti “me kohë e me vakt”. Zllatan Ibrahimoviçi është kthyer në një Xhixhi Bufon, në një Dino Xof, Piter Shilton apo Stenli Metjus, që nuk kanë dashur në asnjë mënyrë të ndaheshin nga pasioni. Për më tepër, duket se superylli suedez (me origjinë boshnjake) ka edhe shumë frikë që ta mendojë jetën pa futbollin. Habi e madhe, sepse nuk është se ai nuk ka familje, nuk ka fëmijë! Ai i ka që të gjitha këto, mund ta mbushë jetën në mënyrë familjare, por sërish tmerrohet. “Provoj pak panik kur mendoj se mund ta lë futbollin, – thotë Ibra, – e sigurt është që do të vazhdoj sa më gjatë që të kem mundësi, për aq kohë sa të arrij rezultate, por edhe duke luajtur me kënaqësi, pa ndjerë vuajtje nga lodhja”. Nuk dihet se kur do të vijë ajo ditë, por së pari Ibra mendon të kualifikohet me Suedinë në finalet e Kupës së Botës. Në plej of është përballë Çekisë, e nëse kalon, ndaj Polonisë.
Sfidanti.al