Gati tri javë mbas incidentit të rëndë në ndeshjen PAOK-AEK në Athinë, ku në fushë hyri i armatosur pronari i PAOK-ut, duke kërcënuar gjyqtarin, situata në futbollin grek, gradualisht, po normalizohet. Mbas kësaj ngjarjeje skandaloze që habiti të madh e të vogël dhe jo vetëm në Greqi dhe që çoi në vendosjen e një moratoriumi (pezullim i përkohshëm) mbi kampionatin grek, u vendos që ai të rifillojë, por me një kusht specifik rigoroz.
Në fakt, ngjarja e hidhur e fundit në futbollin grek vetëm se derdhi kupën, pasi në të ka pasur edhe incidente të tjerë të rëndë, duke tërhequr vemendjen, madje, edhe të UEFA-s dhe të FIFA-s që i kërkuan Federatës së Futbollit të Greqisë që të marrë masa të ashpra parandaluese. Kështu, krerët e kësaj Federate, të mbështetur edhe nga autoritetet shtetërore, ranë dakord për aplikimin e një rregulli të ri, sipas të cilit, “ai klub që do të bëjë më shumë se tri incidente, trazira në tribuna, rrahje… do ta humbasë automatikisht statusin e ekipit të ligës së parë.”
Sfidanti.al