Kupa e Konfederatave 2017, të shtunën nis turneu i kampionëve kontinentalë

Këtë fundjavë nis Kupa e Konfederatave që do të zhvillohet në Rusi, një eveniment ky që i paraprin Kampionatit botëror të vitit 2018. E gjithë vëmendja do të jetë e përqendruar në 4 qytete, Moskë, Shën Petersburg, Kazan e Sochi ku që nga 17 qershori e deri në 2 korrik do të luhen ndeshjet e këtij kompeticioni. Rekordin e pjesëmarrjeve në Kupën e Konfederatave e mbajnë Meksika dhe Brazili me 7 të tilla. Duke qëndruar te Brazili, Seleçao është ajo që ka rezultuar më e suksesshmja në këtë eveniment me 4 trofe. E vetmja skuadër përveç Brazilit që ka fituar këtë kompeticion më shumë se 1 herë, është Franca në 2001 dhe 2003.  Brazili mban edhe një rekord tjetër, atë të numrit më të lartë të ndeshjeve të fituara, 23 duke lënë pas Meksikën dhe Francën me 14.  Në këtë edicion të Kupës së Konfederatave marrin pjesë 3 skuadra evropiane, Rusia si vendi organizator, Gjermania si kampione e botës dhe Portugalia si kampione e Evropës. Është hera e parë që në një eveniment të tillë marrin pjesë 3 skuadra nga i njëjti kontinent. Deri tani janë zhvilluar 9 edicione të Kupës së Konfederatave. Në vetëm 3 raste turneu është fituar nga vendi që e ka mbajtur atë, Meksika në 1999, Franca në 2003 dhe Brazili në 2013. Tetë skuadrat pjesëmarrëse të kompeticionit janë ndarë në 2 Grupe. Në Grupin A është Rusia, Zelanda e Re, Portugalia e Meksika, ndërsa në Grupin B ndodhen Gjermania, Kili, Kameruni, Australia. Ndeshja e hapjes është ajo mes Rusisë dhe Zelandës së Re që do të luhet në orën 18:00 të së shtunës në stadiumin e Shën Petersburgut.

sfidanti.al