A do ta fitojë Kristiano Ronaldo Topin e Artë të këtij viti? “Gojët e mira” thonë që “po”, por gjithsesi portugezi i Realit është në pritje. Duket se praktika e punës, qoftë nga FIFA, qoftë nga “Frans Futbolli”, është që “i zoti i punës” lajmërohet, por këshillohet që të bëjë sikur nuk di gjë. Kështu që, edhe Ronaldo kur pyetet, shprehet se “shpresoj që ta fitoj Topin e Artë, por pres të më thonë”.
Ceremonia e dorëzimit të Çmimit më të madh individual në futboll është në fillim të muajit janar, por tashmë mund ta themi me plot gojën se CR7 e ka rihapur garën për supremaci me Lionel Mesin. Argjentinasi ka 5 Topa të Artë, Kristiano ka 4, dhe me ambicien e jashtëzakonshme, dhe me një skuadër të madhe si ajo e Realit të sotëm, ku i dihet, ndoshta edhe e barazon yllin e Barcelonës.