Elseid Hysaj është një përfaqësues i futbollit shqiptar në Ligën e Kampionëve. Mbrojtësi i kombëtares arriti një kualifikim të merituar me Napolin, pas fitores 2-1 në Portugali. Napolitanët mund të mjaftoheshin edhe me barazimin, por në “Estadio Da Luz” morën 3 pikët ndaj Benfikës. Kajehon dhe Mertens ishin shënuesit, me Hysajn në fushë. Benfika doli e dyta, ndërsa Beshiktashi e prishi krejt punën, u mund 0-6 në fushën e Dinamos së Kievit, dhe mbeti me 9 lojtarë.
Arsenali dhe Granit Xhaka siguruan vendin e parë në grupin A, pas fitores 4-1 në fushën e Bazelit, ku në fushë ishte vëllai i Granitit, Taulanti. Lukas Perez shënoi 3 gola për londinezët dhe Aleks Iuobi një tjetër. Asnjëri nga Xhakat nuk mori të verdhë. Paris SG gaboi pikërisht në fund, barazoi 2-2 në fushën e vet me Ludogorecin dhe doli i dyti.
Në grupin C, Lionel Mesi shënoi një tjetër gol për Barcelonën, duke arritur në 93 gola në Champions, vetëm 2 më pak se Kristiano Ronaldo që luan nesër. Katalanasit, gjithsesi, patën më të mirin në fushë turkun Arda Turam që realizoi tri herë ndaj Borusias së Mynshengladbahut (4-0). Sfida britanike Mançester Siti-Sëlltik përfundoi 1-1.
Në grupin D, Bajerni mundi minimalisht 1-0 Atletikon e Madridit në “Alianc Arena”. Golin e vetëm e shënoi Robert Levandovski, ndërsa ndeshja tjetër PSV Ajndhoven-Rostov përfundoi 0-0.
Grupi A: Bazel-Arsenal 1-4, Paris SG-Ludogorec 2-2. Kualifikohen Arsenal e PSG, Ludogorec në Ligën e Europës.
Grupi B: Benfika-Napoli 1-2, Dinamo Kiev-Beshiktash 6-0. Kualifikonen Napoli e Benfika, Beshiktash në Ligën e Europës.
Grupi C: Barcelona-Borusia M. 4-0. Man. Siti-Sëlltik 1-1. Kualifikohen Barcelona e Man. Siti, Borusia në Ligën e Europës.
Grupiu D: Bajern-Atletiko 1-0, PSV-Rostov 0-0. Kualifikohen Atletiko e Bajern, Rostovi në Ligën e Europës.