Lionel Mesi në ndeshjen e fundit miqësore të përfaqësueses së Argjentinës kundër Haitit (4-0) shënoi tre gola dhe dha një asist goli. Në fakt, kjo ishte një ndeshje përgatitore e ekipit argjentinas, por interesante, në fakt, ishte deklarata që bëri futbollisti i saj më i mirë, Mesi, lidhur me një bashkëlojtar të tij, Kristian Pavon, që, me të vërtetë, ka bërë një progres të madh gjatë këtij sezoni me bluzën e Boka Juniorsit. Duke qenë vetëm 22 vjeç, ai konsiderohet si një nga talentet më të mëdhenj në Argjentinë dhe trajneri i saj, Horhe Sampaoli, thotë se cilësitë e këtij futbollisti të ri i përgjigjen më shumë ekipit të tij sesa ato të Mauro Ikardit që nuk u thirr në përfaqësuese. Pavoni me shpejtësinë e tij të madhe dhe aftësitë depërtuese fantastike mund të luajë në çdo pozicion sulmues, ndërkohë që i entuziazmuar nga performanca e këtij të riu të talentuar në përfaqësuese është edhe vetë Lionel Mesi që nuk i kursen komplimentët për të.
“Unë, me të vërtetë, kam gjetur një partner të ri te Pavoni. Bëhet fjalë për një futbollist shumë të mirë. Ai është gjithnjë i hapur dhe është mjaft depërtues midis mbrojtësve kundërshtarë. Ai është jashtëzakonisht i shpejtë dhe ndryshe nga të gjithë të tjerët në ekipin tonë”, vuri në dukje Mesi.