Juventus, për Lukakun mungon vetëm ‘Po-ja’ e Dibalës; takim me Paraticin

Juventus po jeton orë të nxehta të merkatos së transferimeve me Zonjën e Vjetër që po kërkon të mbyllë sa më shpejt të jetë e mundur cështjen Lukaku dhe të sigurojë një plusvalencë të konsiderueshme nga shitja e Dibalës. Juventus dhe Mancester Junajtid kanë arritur akordin për shkëmbimin mes Lukakut dhe Dibalës me torinezët që kanë gjetur marrëveshjen me futbollistin belg të cilit do t’i ofrojnë një kontratë me 8.5 milionë Euro neto në sezon, plus bonuset.

Tani ajo që duhet është përgjigjja pozitive e Dibalës për të zhbllokuar përfundimisht tratativat, me argjentinasin që për momentin nuk duket se ka dëshirë për t’u larguar nga kampionët e Italisë. Mësohet se futbollisti ka parashikuar një takim me Fabio Paraticin, ndërkohë që përfaqësuesi i Dibalës, Horge Antun është në Londër për të gjetur një marrëveshje me Mancester Junajtid për një pagë prej 10 milionë Eurosh në sezon që është shifra e kërkuar nga futbollisti, ndërkohë që Djajtë e Kuq janë gati t’i ofrojnë 8.5 milionë

Dibala u kthye të enjten në Torino dhe ishte gati të fliste me trajnerin Sarri e të niste menjëherë punën me skuadrën. Por drejtuesit e Juventusit i këshilluan të rrijë me pushime deri në 5 gusht duke respektuar programin, një lëvizje kjo që tregon dëshirën e klubit për ta larguar atë në drejtim të Mancester Junajtid me të cilin e ka arritur tashmë akordin.

Tashmë në këtë pikë duhet vetëm të përshpejtohen hapat duke qenë se merkatoja e Premier Leagues mbyllet në 8 gusht, 1 ditë përpara fillimit të sezonit të ri.

sfidanti.al