Federata gjermane e futbollit vendosi që të mos ta shkarkojë trajnerin e deritanishëm të përfaqësueses së saj, Joakim Lëv, pavarësisht nga fiaskoja që ai dhe ekipi që ai drejton pësuan në kampionatin botëror që po zhvillohet në Rusi, pasi Gjermania, për herë të parë mbas tetë dhjetëvjeçarësh, nuk arriti që të kualifikohej në fazën knock out të konkurrimit më të rëndësishëm botëror të futbollit. Sikurse duket, duke qenë se gjermanët punojnë sistematikisht dhe me plan, gjermanët vendosën që ta lënë në funksionin e trajnerit kryesor të përfaqësueses gjermane personin që para katër vitesh u solli atyre titullin e kampoionit botëror, pasi ai trashëgoi Jyrgen Klinsmanin dhe në çdo konkurrim të madh ndërkombëtar e ka çuar manshaftin gjerman, të paktën, deri në gjysmëfinale.
Federata gjermane e futbollit e mbajti mbledhjen e saj të premtën e fundit dhe çdo pjesëtar i komitetit ekzekutiv të saj, përmes telefonit, pasi u konsultuan, ra dakord që Joakim Lëvi të vazhdonte të qëndronte trajner kryesor i përfaqëseuses gjermane deri në fund të kontratës së tij aktuale, deri në vitij në 2022, më saktë, kur do të zhvillohet Botërori i ardhshëm në Katar.
“Nuk u paraqit ndonjë opsion tjetër dhe Joakim Lëvi mori mbështetjen e njëzëshme”, bëri të ditur federata gjermane e futbollit, mbledhjen e së cilës e kryesoi njeri nr.1 i saj, Rainhard Grindael.
Sfidanti.al