14 milionë dollarë për fanellën e Jordan

Një fanellë e Michael Jordanit, e veshur dhe e firmosur prej tij gjatë finaleve të NBA-së në vitin 1998, është shitur për plot 14 milionë dollarë. Shtëpia e ankandeve Hunt Auctions njoftoi të hënën se shitja private ka vendosur një rekord të ri për një objekt koleksionimi të lidhur me basketbollin.

Bëhet fjalë për fanellën e kuqe të Chicago Bulls, të cilën Jordan e veshi më 5 qershor 1998, në ndeshjen e dytë të finales kundër Utah Jazz. Atë mbrëmje, Jordan dhe skuadra e tij fituan për të barazuar serinë në 1-1. Bulls triumfuan përfundimisht në gjashtë ndeshje, duke siguruar titullin e gjashtë dhe të fundit të karrierës së legjendës së basketbollit.