Interi siguron Spaletin: Ke 110 milionë euro, plus paratë e të larguarve!

Ivan Perishiç nuk duhet të preket, skuadra duhet të forcohet me 110 milionë euro që do të përdoren për të marrë futbollistë, ndërsa disa lojtarë duhet të largohen. Ky është plani i përpiluar nga trajneri i ri i Interit, Luçiano Spaleti, në takim me drejtuesit e rinj kinezë. Çan Xhidong (Zhang Jidong) i ka premtuar ish-drejtuesit të Romës, se do të bëhet çmos që ai të ketë një skuadër konkurruese sezonin e ardhshëm.

Plot 110 milionë euro janë “pasuria” që Spaleti mund ta përdorë dhe që do t’i jepet direkt nga kinezët. Lojtarët që do të largohen, pak a shumë i ka përzgjedhur vetë trajneri dhe sipas mediave në Itali janë Banega, Brozoviç, Murijo dhe Jovetiç. Nga Roma, pritet të vijë përforcimi i parë që do të jetë mesfushori holandez, Kevin Strotman. Ai sapo ka rinovuar me verdhekuqtë, por Interi mjaft të paguajë klauzolën e transferimit, që vlen 45 milionë euro.

Sfidanti.al