Cila do të jetë skuadra e re e Zlatan Ibrahimoviç? Eshtë pyetja, që për momentin është e vështirë t’i japësh një përgjigje. Shtatlarti suedez po rikuperohet nga dëmtimi i rëndë që pësoi në prill të këtij viti dhe mund t’u rikthehet fushave të blerta më shpejt sesa mendohej. Ndërkohë, Mançesteri i Murinjos nuk ka ndërmend t’ia ronovojë kontratën, ndërkohë që menaxheri i tij, Mino Raiola, është vënë në lëvizje për të gjetur një klub të ri, tek i cili Zlatan do të vazhdojë karrierën. Sulmuesi, tashmë 35-vjeçar, mendon se ka ende potencialin për të luajtur në një skuadër të madhe në Evropë dhe nuk e mendon kurrsesi një kalim të mundshëm në një kampionat të niveli më të ulët, siç mund të jetë transferimi përtej oqeanit, në Major League Soccer, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas mediave spanjolle, Raiola ia ka propozuar futbollistin Realit të Madridit, por presidenti Florentino Perez, nuk duket shumë entuziast nga ideja dhe mundësitë janë të vogla që veterani suedez të transferohet në “Santiago Bernabeu”. Ndërsa një variant i mundshëm mund të jetë edhe rikthimi te Milani. Ndërkohë që sulmuesi veteran ka refuzuar një ofertë të Valencias, sepse nuk e konsideron skuadrën nga Mestaja në lartësinë e tij.