Hetimi për vdekjen e Maradonës, ish e dashura: Vdiq në një shtëpi pa banjë

‘Shtëpia ku ndodhej ishte shumë e thjeshtë, pa banjë. Ishte një krevat dhe një WC kimike. Diego nuk meritonte të kalonte ditët e fundit në këtë mënyrë’. Kjo është ajo që deklaroi ish e dashura e El Pibe De Oro, Veronica Ojeda duke zbuluar detaje të reja rreth ditëve të fundit të jetës së legjendës së futbollit argjentinas dhe botëror.

Veronica Ojeda u mor në pyetje nga hetuesia argjentinase për 5 orë për të hedhur dritë për ndarjen nga jeta të Maradonës. Pas Ojedës, foli edhe avokati i saj Mario Baudry sipas të cilit Maradona nuk do të humbiste jetën nëse do të ishte në një qendër mjekësore.

Ndërkaq, hetuesit kanë në duar një dialog në Whatsapp mes vajzave të Maradonës, Dalma e Gianninës, djalit Diego junior dhe dy specialistëve që monitoronin gjendjen e ish yllit të futbollit; psikiatrja Agustina Cosachov dhe psikologu Carlos Diaz.

Mesazhet u publikuan nga e përditshmja ‘La Nacion’ dhe në to shprehej shqetësimi i fëmijëve të kampionit argjentinas për mënyrën sesi u kurua babai i tyre. Po kështu ‘La Nacion’ publikou edhe dokumentin që lejonte daljen e Maradonës nga klinika Olivos ku u operua në tru. Në dokument rekomandohej domosdoshmëria e përcaktimit të një vazhdimësie me kurat për të pas largimit nga qendra mjekësore.

Sfidanti.al