Guardiola shpallet trajneri i sezonit në Premier League

Pep Guardiola është zgjedhur trajneri i sezonit në Premier Ligë, një trofe që spanjolli e fiton për të pestën herë në Angli. Katalanasi mundi Mikel Artetën, Jurgen Klopp, Unai Emery dhe Andoni Iraola në garën për të fituar çmimin. Guardiola udhëhoqi Manchester Cityn drejt titullit të katërt radhazi në Premier League, duke përfunduar kampionatin dy pikë përpara Arsenalit. City tani ka kaluar Manchester United duke u bërë skuadra e vetme që ka fituar Premier League katër herë radhazi.

Ky është titulli i gjashtë që klubi ka fituar nën drejtimin e Guardiolës, i cili hodhi dyshime mbi të ardhmen e tij te Man City pas fitores të së dielës kundër West Hamit me një vit të mbetur nga kontrata e tij aktuale. Guardiola dhe Man City mund të shtojnë një tjetër trofe kur të përballen me Man Utd në finalen e FA Cup të shtunën në “Wembley”.

sfidanti.al