Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, mori pjesë, këto ditë, në një event sportiv, të organizuar nga fondacioni “Johan Krojf”. Duke qenë se atje ndodhej trajneri i ekipit kampion të Anglisë (Mançester Siti), rreth Pepit u mblodhën shumë gazetarë që i drejtuan trajnerit spanjoll shumë pyetje. Për Realin e Madridit?
“Urimet më te mira Realit. Sigurisht që, kur një klub e fiton Champions-in për herë të tretë radhazi dhe katër herë në pesë vitet e fundit, atëherë, kemi të bëjmë me një ekip spektakolar. Champions-i është një konkurrim i vështirë dhe fitimi i tij varet nga shumë faktorë. Reali luan shkëlqyeshëm në Evropë dhe unë i heq atij kapelen”, vuri në dukje Guardiola.
“Largimi i Iniestës nënkupton se për Barcelonën erdhi fundi i një epoke?”, ishte një pyetje tjetër, së cilës Pepi iu përgjigj: “Jo, duhet ta dini se lojtarë të tillë, gjithnjë, shfaqen herë pas here. Për një ekip nuk mund të thuhet si i ka ardhur fundi, kur largohen dy ose tre lojtarë, sado të mirë që të jenë. Barcelona vazhdon që të jetë klubi më i mirë në botë me ose pa Ligën e Kampioneve!”.