Nuk ishte ndonjë fitore e jashtëzakonshme, madje 2-0 është pak për standardet e shënimit të Mançester Sitit, veçse për Pep Guardiolën ishte një ogur tepër i mirë. Suksesi ndaj Njukasëllit u vlerësua lart nga trajneri katalanas, ndërsa ekipi i tij është 5 pikë larg Liverpulit që kryeson Premier Ligën, me të njëjtin numër ndeshjesh. “Ishte paraqitja më e mirë e sezonit për ne, – tha ai, – ky është ritmi me të cilin duhet të luajmë. Gjithsecili të bëjë detyrën, ishte një shembull i mirë. Loja jonë pozicionale ishte perfekte”.
Guardiola la në stol disa nga lojtarët kryesorë si Agueron, Mahrezin, Fernandinjon, Laportën apo Benzhamin Mendinë, ndërsa ndihet mungesa e sulmuesit tjetër Gabriel Zhezus. Gjithsesi, Ferran Torres vazhdon me formën shumë të mirë duke shënuar edhe gol, ndërsa Ilkai Gyndogan shënoi një tjetër. Siti pati 75 për qind të zotërimit të topit si dhe dyfishin e gjuajtjeve. Skuadra e Guardiolës ka 26 pikë, por me pak gola të shënuar (21-12), Liverpuli ka 31 pikë (36-19).
Sfidanti.al