Gjermania u kualifikua për në finalen e madhe të Kupës së Konfederatave që po zhvillohet në Rusi, pasi ekipi i “pancerave” mundi bindshëm 4-1, mbrëmë, në Soçi, Meksikën në gjysmëfinalen e dytë të kësaj kupe, duke dalë kështu në finale, ku përballë do të ketë Kilin që në gjysmëfinalen tjetër, sikurse dihet, mundi me penallti 3-0 Portugalinë, pasi e gjithë ndeshja dhe shtesat përfunduan në barazim 0-0.
Sa për kujtesë, trajneri i përfaqësueses gjermane, Joakim Lëv, po merr pjesë në Kupën e lartpërmendur me një ekip futbollistësh që, në përgjithësi, nuk janë pjesëtarë të formacionit të parë të Gjermanisë, por, megjithatë, edhe me ekipin rezervë gjermanët e kanë treguar veten të frikshëm në Rusi. Këtë gjë në lëkurën e tyre e provuan meksikanët që, vetëm pa u mbushur 10 minuta nga fillimi i ndeshjes, e panë veten në disavantazh 0-2.
Sfidanti.al