Gavi në gjurmët e Mesit, Ksavi beson verbërisht tek brezi i ri i Barcelonës!

Futbollin e ka nisur ashtu si shumë fëmijë të tjerë. Në fanelën e tij është shkruar Gavi, ndërsa emrin e plotë e ka Pablo Martin Paez Gavira. Pasi e nisi futbollin tek Betisi, ai kaloi në moshën 11-vjeçare tek Barcelona, ndërsa sot kur është ende vetëm 17 vjeç, hyri në historinë katalanase. Në ndeshjen e fundit të Barçës në La Liga, në fitoren 3-2 ndaj Elçes, ai shënoi golin e parë me fanelën “blaugrana”, një rrjetë që kujtoi ato të Mesit dhe Maradonës.

Për më tepër, lojtari me numrin 30 la pas ish-kapitenin, pasi e dërgoi topin në rrjetë në moshën 17 vjeç e 135 ditë. Mesi realizoi të parën rrjetë për ekipin e parë, falë një asisti të Ronaldinjos kur ishte 17 vjeç e 331 ditë. Ai nuk mundi të ishte gjithsesi më i riu shënues i ekipit “blaugrana” në histori, pasi atë rekord e mban Ansi Fat që ia doli në moshën 16 vjeç e 304 ditë, ndërsa i dyti është Bojan Krkiç në moshën 17 vjeç e 53 ditë. Barcelona ka shumë shpresë që brezi i ri i talenteve ta ngrejë ekipin në nivelin ku ishte në kohën e Mesit, Ksavit apo Iniestës. Tifozët besojnë pasi gjenerata e sotme ka Gavin, Ansu Fatiun, Pedrin, Nikon e të tjerë djem të rinj.

“Mënyra sesi Gavi luan është spektakolare, – thotë Ksavi, – ai ka ambicie të mëdha dhe shumë personalitet. Ai është e ardhmja e Barcelonës, por jo vetëm ai. Edhe Arauho, Balde, Niko, Abde. Ata janë e ardhmja jonë, një brez i shkëlqyer. Gavi është një lojtar që bën diferencën dhe jam i lumtur që e kam në ekip. Unë nuk luaja dot si ai kur isha 17 vjeç. Nuk dua ta krahasoj me askënd, sepse ai nuk ka asnjë limit”.

Gjithsesi, Ksavi dhe skuadra e tij duhet të kenë edhe rezultate, përtej talentit për të ardhmen. Barcelona është në vend të 7-të në La Liga, porse e ndajnë vetëm tri pikë nga zona Champions, që mbetet objektivi kryesor i sezonit.

Sfidanti.al