Ai duhet të ketë shpejtësinë e vetë Hazarit, duhet të ketë gjuajtjen me kokë të Kristian Bentekes (shoku i tij tek Belgjika), gjenialitetin e Andres Iniestës, fizikun e Kristiano Ronaldos, gjuajtjen drejt portës të Luis Suarezit, lëvizjen pa top të Karim Benzemasë, goditjet e dënimit të Kristian Eriksenit (Totenhem), aftësinë drejtuese të Xhon Territ, si dhe diçka tjetër. Këto janë përgjigjet e Eden Hazarit ndaj provimit të bërë nga revista franceze, “Frans Futboll” lidhur me identikimin e futbollistit të përsosur.
“Diçkaja” tjetër kishte të bënte me vizionin e lojës të Sesk Fabregasit, shokut të tij tek Çelsi. “Nëse do ta kisha atë vizion, do të isha shumë më i mirë sesa tani, – tha me sinqeritet mesfushori belg, – Sesk nuk vrapon shpejt, nuk ka teknikë shumë të lartë, por bën gjëra që nuk i bën njeri. Ai ka qenë i tillë që kur ka lindur dhe më habit gjithmonë”. Gjithsesi, Hazar ka harruar edhe diçka tjetër, pikërisht gjenialitetin universal të Lionel Mesit. Apo ndoshta, ai e ka pasur fjalën për tokësorët, jo për “alienët”!
Sfidanti.al