Fitojnë me “sytë e ballit”, por, ama, arbitrat  nuk shohin asgjë!

Sikur ishin pak gabimet e gjyqtarëve në “Santiago Bernabe” dhe “Olimpiko” në ndeshjet e Champions-it që shkaktuan një irritim të madh te të gjithë dashamirësit e futbollit, tani duhej edhe ky gabim trashanik edhe në Ligën e Evropës, që tabloja e përgjithshme të kompletohej dhe të nxirrej konkluzioni se gjyqtarët nuk janë në nivelin e ndeshjeve të rëndësishme.

Marseja shënoi një gol në min. e 116-të në portën e Salcburgut fatkeq, mbas një korneje që nuk ishte aspak e tillë dhe nuk duhej të ishte dhënë në asnjë mënyrë. Në aksionin që parapriu këtë korne, Zimbo donte të godiste portën, por goditi me top bashkëlojtarin e vet dhe, për habi të të gjithëve, gjyqtari rus, Sergej Karasjov, tregoi me dorë këndin e fushës, nga ku Dmitri Paje ia dërgoi topin bashkëlojtarit të vet, Rolando, që shënoi në portën austriake dhe, kështu, Marseja doli në finale të Ligës së Evropës.

Sa për kujtesë, të martën e kaluar, në “Santiago Bernabe”, gjyqtari turk, Xhunejt Çakir, nuk dha një penallti të pastër në favor të Bajernit,  madje dy, kur u pa qartë se mbrojtësi i Realit, Marselo, me dorën e tij ia ndërroi drejtimin topit të gjuajtur nga Xhoshua Kimih brenda zonës 16-tshe të tij. Pak ditë, më parë, gjyqtari slloven, Damir Skomina, në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Champions-it, bëri katër gabime që, po të mos ishin bërë, të paktën, do t’i kishin dhënë mundësi Romës që ta çonte ndeshjen deri te shtesat.

Është shqetësues fakti sesi gjyqtarët më të mirë, të cilëve UEFA u jep para të mëdha, nuk janë në gjendje që të gjykojnë ndeshje të rëndësishme, për më tepër të bëjnë gabime të tilla trashanike ose foshnjarake që ndikojnë në një masë të madhe te rezultati i ndeshjeve? Ndoshta, duhet të aplikohet plotësisht dhe kudo sistemi VAR (Video Asisstant Refereee).

Sfidanti.al