FIFA ndalon kërcimin “Haka” në Kupën e Konfederatave!

Përfaqësueset e Zelandës së Re, në sporte të ndryshëm, sidomos, ata kolektivë, anembanë botës, e kanë bërë zakon që t’i fillojnë performancat e tyre sportive me kërcimin tradicional mjaft origjinal, “Haka”,qëështë bërë një atraksion i bukur për tifozët. Megjithatë, futbollistët neozelandezë nuk do të mund ta performojnë kërcimin “Haka” në ndeshjet e Kupë së Konfederatave që fillon sot (më 17 qershor) në Rusi, për shkak të rregullave mjaft rigoroze lidhur me kohën që FIFA ua ka bërë të ditur vendeve pjesëmarrësnë këtë turne.

“Nuk është fjala për ndonjë ndalim të drejtpërdrejtë, por për një problem organizativ, pasi FIFA ka përcaktuar një serë rregullash rigoroze lidhur me kohën. Ekipet do të duhet që të dalin në fushë fiks gjashtë minuta para fillimit të ndeshjes, ndërkohë që, katër minuta para fërshëllimës së gjyqtarit, do të ekzekutohen himnet përkatës. Sidoqoftë, ne jemi krenarë që, kudoqoftë në botë, neve na dallojnë nga ‘Haka’, por, kësaj here, kalendari i FIFA-s nuk e mundëson një diçka të tillë”, vuri në dukje mbrojtësi i Zelandës së Re, Majkëll Boksal. Zelanda e Re bën pjesë nëGrupin A të Kupës së Konfederatave, krahas Portugalisë, Meksikës dhe Rusisë mikpritëse.

sfidanti.al