Të rinj dhe entuziastë. Për futbollistët e Francës ky është normaliteti i jetës, të mësuar me sukses pas suksesi në Botëror. Disfata me Portugalinë në finalen e Euro 2016-ës tani është harruar dhe besimi është i patundur në finalen e Botërorit. Trajneri Deshamp dhe lojtarët e tij ndihen gati.
Gjithashtu, gati edhe mijëra e mijëra tifozë francezë. Ata shurdhuan e ndriçuan Parisin, sidomos qendrën historike pranë Harkut të Triumfit. “Kurrë nuk kam ndjerë emocione të tilla, luajtëm si të çmendur, kjo është madhështore”, – thotë njëri prej tyre.
Jo më pak zhurmë edhe nga mediat. “L’Ekip”: Me kokën tek yjet! Falë golit me kokë të Samuel Ymtitisë, Franca mund të kërkojë titullin e dytë botëror! “Lë Figaro”: Ëndrra blu vazhdon! Pas një ndeshjeje të ethshme, Franca mundi Belgjikën duke entuziazmuar gjithë vendin! “Liberasion”: Kupa e Botës, thellësisht e diel! Një ndeshje e fortë, dhe një gol me kokë, Franca në finale!
“Do të mbetem pa gjumë sonte, do ta kem vështirë të fle, – tha autori i golit, Ymtiti, – gjithsesi, s’ka problem. Unë nuk jam aspak i lodhur”. “Le të shkruajmë historinë tonë, – tha trajneri Deshamp, kampion i botës si lojtar 20 vjet më parë, – le të shkruajmë faqen më të bukur. Jam krenar për titullin e atëhershëm, por duhet të jetojmë kohën tonë”.
Tifozët belgë kishin të tjera ndjenja. Ata e ndoqën ndeshjen me shpresë, por përfundimisht mbetën të dëshpëruar. Më mirë të dëgjojnë fjalët e Zhoze Murinjos. “Më vjen keq për Hazarin, – tha trajneri i Mançester Junajtidit, – pasi dha gjithçka, por shumë nga lojtarët e tjerë u fshehën. Sërish nuk e treguan veten në një ndeshje të madhe. Franca ishte më mirë në gjërat bazike të futbollit. Ajo e meritoi finalen”.
Sfidanti.al