Anglezët në Moskë, jelek si trajneri, fërkim me policët, radhë biletash!

Fitorja me Suedinë u la pas. Tifozët anglezë padyshim e kaluan natën pa gjumë, si gjysmëfinalistë të Botërorit, ndërsa me ta u bashkuan edhe shumë tifozë rusë, tashmë të eleminuar. Problemi i parë i madh për ta ishte udhëtimi drejt Moskës.

Disa me tren, për 16 orë, drejt kryeqytetit të Rusisë, ku Anglia e tyre luan me Kroacinë për një vend në finale. Shqetësimi tjetër ishte për biletat, a do të mund ta shohin ndeshjen në “Luzhniki”? Disa anglezë të tjerë, pasi blenë kokore-suvenirë të kohës sovjetike, shkojnë drejt Moskës me makinat e tyre-rulot, dy ditë rrugë.

Plot 10 000 tifozë pritet ta mbështesin kombëtaren në stadium. Disa prej tyre, origjinalë, me jelekun si të trajnerit Sauthgejt, veshja më e modës e momentit për ta. Botërori deri tani ka shkuar shumë mirë, dhe huliganizmi është zero, veçse pati disa fërkime në Moskë.

Disa anglezë, ndoshta nën ndikimin e pijes, sikur u bënë më të dhunshëm se ç’duhet, por policia ruse ishte shumë pranë. Ajo tregoi se nuk di të përkëdhelë. Gjithsesi, në Moskë mbizotëron festa, ndërsa anglezët kanë një stres të fundit për të kaluar, ende nuk janë të sigurt për biletat e gjysmëfinales.

Sfidanti.al