Faktori fushë pa tifozë; në La Liga bie në 40.9%

Mbeshtetja e publikut ndihmon jashtë mase skuadrat e futbollit. Këtë e tregon edhe një studim i kryer për La Ligën. E përditshmja ‘El Mundo Deportivo’ publikoi disa shifra nga analiza e rezultateve të regjistruara të skuadrave në shtëpi dhe transfertë në periudhën post coronavirus dhe shifrat flasin qartë.

Kështu faktori fushë ka pësuar rënie të ndjeshme. Në 11 ndeshjet e luajtura me dyer të mbyllura në sezonin 2019/2020, përqindja e fitoreve të skuadrave që luanin në shtëpi kaloi nga 47.8% në 40% dhe si pasojë janë rritur fitoret në transfertë

Kur luhej me publik, vetëm 1 në 4 ndeshje kishte shenjën ‘2’, ndërsa në periudhën post Covid, kush luan në transfertë fiton në 31.8% të rasteve. Janë këto shifra që po krijojnë një tendencë edhe në fillimin e këtij sezoni. Në fakt në 2020/21, fitoret në shtëpi janë vetëm3% më të larta se ato në transfertë. Në 43 ndeshjet e luajtura deri tani janë regjistruar 16 fitore në shtëpi, 12 barazime dhe 15 fitore në transfertë ose 37.2%  e fitoreve në shtëpi, 34.9% në transfertë. Përqindja e barazimeve ka mbetur e pandryshuar 27.9% ishte përpara ndërprerjes , 27.8% pas rifillimit, kurse këtë sezon 27.3%.

Presioni i publikut ndikon edhe te arbitrimi; në 27 javët e vitit të kaluar janë dhënë 69 penallti në favor të skuadrave pritëse dhe 34 në favor të ekipeve mike, pra 67%  për skuadrën vendase kundrejt 33% për atë mike

Edhe në këtë rast shifrat janë ridimensionuar; deri tani janë dhënë 12 penallti; 7 për skuadrat që luajnë në shtëpi(58.3%) dhe 5 për ato që luajnë në transfertë(41.7%)

Sfidanti.al