Trajneri i Dinamos së Zagrebit e pranon: “Na vërshëllyen me të drejtë!”

Dinamo me fat dhe me ndihmën e gjyqtarëve shpëtoi nga humbja në stadiumin e vet të Zagrebit, “Maksimir”, në ndeshjen e parë play off të Ligës së Evropës me Skënderbeun e Korçës që e pësoi golin vetëm në min. e 95-të dhe, kështu, ndeshja përfundoi në barazim 1-1, shkruan sot hr.sport, një nga portalet sportivë kryesorë kroatë, duke iu referuar, më pas, trajnerit të zagrebasve, Mario Cvitanoviç:

“Pjesa e parë nuk shkoi ashtu sikurse e kishim parashikuar ne dhe donin tifozët tanë, kështu që ata, me të drejtë, mbas kësaj pjese, na përcollën me vërshëllima për në dhomën e zhveshjes. Në pjesën e parë, munguan plotësisht energjia dhe emocionet. Kurse, në pjesën e dytë, ne luajtëm shumë më mirë, publiku e ndjeju këtë dhe, për këtë arsye, na mbështeti me forcë. Më vjen keq që ne nuk arritëm që të fitonim. Kjo ndeshje tregoi se çdo kundërshtar është aq i rrezikshëm sa e lejoni ju atë dhe kështu ndodhi në pjesën e parë. Sidoqoftë, ne do të shkojmë në Shqipëri që të fitojmë dhe të kalojmë më tej, sepse ne e duam shumë Ligën e Evropës”, tha Cvitanoviçi.

Pyetjes së gazetarëve se çfarë iu tha ai lojtarëve në dhomën e zhveshjes mes dy pjesëve, trajneri kroat iu përgjigj, duke thënë:

“Ju thashë se ata ishin treguar mjaft pasivë, joagresivë, se kundërshtarët ua merrnin topin atyre fare lehtë dhe se atyre u mungonte konkretizimi në sulm. Ne nuk bëmë asgjë, sikurse kishim parashikuar”. Kurse lidhur me pjesën e dytë, ai vuri në dukje: “Ne treguam në këtë pjesë se zotërojmë shumë më tepër energji, cilësi dhe krijuam shumë shanse. Kam besim te ndeshja e kthimit, se ne do ta kapërcejmë atë dhe do të shkojmë më tej. Skenderbeu, nga ana tjetër, nuk më befasoi, veç sulmuesit Sowe, pasi ai është bashkuar me ekipin vetëm kohët e fundit. Ky ekip ka dy lojtarë anësorë shumë të hidhur që janë të fortë në situatën, kur rezultati është 1-1”, tha trajneri Cvitanoviç.

Sfidanti.al