Një “rebus” i vërtetë për të gjetur titullarët. Është enigmë për tifozët, por edhe për mediat, formacioni me të cilin Partizani do të luajë të enjten në ndeshjen e parë të turit të dytë të Ligës së Europës. Përgatitjet janë të ethshme për duelin që nis në orën 17:30 në “Selman Stërmasi” ndaj Sherifit të Tiraspolit, ndërsa trajneri Franko Lerda po provon disa variante me lojtarë dhe me skema.
Italiani po mendon ndryshime sidomos në sulm, edhe pse mund të mos jenë përfundimtare. Asani e Mala mund të lihen në stol, sipas një varianti, ndërsa Çinari të zhvendosej djathtas, e braziliani Melo të shtyhej përpara majtas, nga mesfusha në ofensivë. Në mesfushë mund të kenë vend që nga minuta e parë Broja e Romero, ndërsa mbrojtja dhe porta besohet të mos ndryshojnë, sidomos sepse janë pozicione shumë delikate.
I vështirë pozicioni për kapitenin e dytë, Lorenc Trashi, i cili ka qenë rezervë në të dyja ndeshjet ndaj Karabakut, dhe nuk pritet sërish të jetë që nga minuta e parë. Flitet se Partizani po mendon transferimin e disa lojtarëve si Asani, Mala e Trashi, dhe se ky mund të jetë shkaku për ndryshimet e Lerdës. Gjithsesi, burime në klub pohojnë se nuk është kjo arsyeja e vërtetë, por është vetë tekniku që kërkon të gjejë formacionin më të mirë, duke parë formën fizike, atletike dhe psikologjike të futbollistëve.
Largime natyrisht që mund të ketë pasi për Asanin thuhet se ka interes në Kazakistan, Izrael e Kroaci. Për Trashin ishte alternativa Ludogorec në Bullgari, por janë edhe pistat e Kazakistanit e Kroacisë, ndërsa, Mala thuhet se pëlqehet nga Beshiktashi në Turqi, si dhe nga klube në Spanjë, Zvicër e Belgjikë.
Asnjë ndryshim për çmimin e biletave në krahasim me ndeshjen e Championsit ndaj Karabakut. Klubi njofton zyrtarisht se tribunat popullore do të kenë kosto 300 lekë të reja, ndërsa tribunat A dhe B do të jenë nga 1 000 lekë. Gjithsesi, orari 17:30 mund të prishë sërish punë, ashtu siç ndodhi me Karabakun ku kishte pak njerëz në stadium.
Ndërkaq, të kuqtë kanë mësuar edhe shortin në rast kualifikimi për në turin e tretë të Ligës së Europës. Kundërshtar i Partizanit, nëse kalon Sherifin, do të jetë Maribori i Sllovenisë ose AIK i Solnës së Suedisë, me ndeshjet që parashikohet të luhen në 8 e 15 gusht.
Sfidanti.al