Ishte duel i dy skuadrave historike, edhe pse që tani në gusht, në plej ofin e Ligës së Europës. Torino, emri tepër i dashur për italianët, nuk mundi ta kalonte pengesën e vështirë angleze të quajtur Uolverhempton, shkurt Uolves, duke u mundur 2-3 në shtëpi. Njeriu-kyç i sfidës nuk ishte as italian dhe as anglez, por një portugez që quhet Nunjo Espirito Santo dhe që punon si trajner i Uolvesit.
Santo bëri dy ndryshime në formacion që ndikuan direkt në lojë, duke lënë jashtë idhullin e tifozëve, Ruben Neves, për të aktivizuar Saisin. Po ashtu, la në stol Xhonin dhe pati titullar Traoren, një nga më të mirët në fushë. “Do të duhej që Toro të pajtonte ndonjë shtrigë apo magjistar përpara ndeshjes, – shkruajti “La Gazeta delo Sport”, – për të zbuluar mendimet e këtij Nunjo Espirito Santos”. Një autogol i Bremerit, dhe rrjetat e Diogo Zhotës e Himenezit i dhanë fitoren anglezëve, ndërsa De Silvestri e Beloti me penallti i dhanë shpresë Torinos.
Tradita ishte e madhe në fushën e stadiumit “Olimpiko”, me Torinon 7 herë kampione të Italisë, 7 herë nënkampione, 5 herë fituese e Kupës e 8 herë finaliste, si dhe 1 herë finaliste e Kupës UEFA. Edhe Uolvesi nuk bie shumë poshtë, 4 herë kampion i Anglisë, pesë herë nënkampion, 4 herë fitues i Kupës, 4 herë finalist i Kupës, 1 herë finalist i Kupës UEFA.
Sfidanti.al