Ekuban, 3 gola për Trabzonin në Europë kënaqin tifozët e Partizanit!

Vitet e fundit, ai ka mbetur ndër emrat më të dashur e më të paharruar të tifozëve të Partizanit, Kaleb Ekuban luajti vetëm një edicion me të kuqtë në Shqipëri, por hyri në zemrat e kryeqytetasve duke shënuar 17 gola në 34 ndeshje. Pasi nuk mundi të shpërthente në Itali me Kievon, dhe në Angli me Lidsin, sulmuesi nga Gana gjeti vendin e ëndrrave, Turqinë. Për Trabzonsporin, shënoi këtë mbrëmje plot 3 gola në fitoren 3-1 arritur në Athinë ndaj AEK-ut vendas.

Ekubani 25-vjeçar iu përgjigj golit të kroatit Marko Livaja për vendasit, dhe ishte i papërmbajtshëm. Ai u veçua edhe nga faqja zyrtare e Ligës së Europës si më i miri i mbrëmjes. Pas 8 rrjetave në 29 ndeshje për skuadrën turke sezonin e kaluar, Ekubani e ka nisur shumë mirë vitin e tanishëm sportiv. Trabzonspori, me këtë fitore, është shumë pranë fazës së grupeve në Ligën e Europës.

Sfidanti.al