Man. Junajtid i dëshiron tifozët me vete edhe në Rusi, 6 000 km larg!

Nuk do të jenë më shumë se 500 vetë, por gjithsesi Mançester Junajtid i cilëson si shumë të rëndësishëm. Klubi anglez nuk dëshiron që skuadra e tij të mbetet pa përkrahje kur të shkojë “në fund të botës”, në një skaj të Rusisë për ndeshjen europiane të radhës. “Djajtë e kuq” luajnë në stadiumin e Rostovit, më shumë se 6 000 km larg shtëpisë së tyre, dhe plot 500 tifozë janë gati ta marrin këtë rrugë për të brohoritur idhujt e tyre.

Junajtid ka vendosur po ashtu të bëjë pjesën e tij. Klubi njoftoi se do të paguajë koston e vizës ruse për secilin prej tyre, ndërsa Rusia kërkon 120 paund stërlina (rreth 145 euro) për çdo person. Media britanike shkruan se shpenzimi total i drejtuesve në “Old Traford” do të jetë rreth 60 000 stërlina, apo rreth 72 mijë euro, gjithsesi një shifër jo shumë e madhe për atë që quhet si klubi më i pasur i botës.

Sfidanti.al