Lutje për Rozenborg – Shkëndija: Vetëm “Lordi” të mos zgjohet!

Ndeshja e parë play off në kuadrin e Ligës së Evropës mes Rozenborgut norvegjez dhe Shkëndijes së Tetovës do të zhvillohet më 23 gusht (20:45), kursa ajo e dyta mbas një jave në Shkup. Në Norvegji, në fakt, kampionati ka kohë që ka filluar dhe Rozenborgu, momentalisht, mbas 18 raundesh, ndodhet në vendin e dytë më 37 pikë, një më pak se Brani që kryeson tabelën.
Një nga lojtarët më me përvojë të Rozenborgut është ish-ylli i Arsenalit dhe i përfaqësueses daneze, Niklas Bendtner, i mbiquajturi “Lordi”, që, në fakt, në kampionatin norvegjez nuk është dalluar shumë, duke shënuar vetëm katër gola në 17 ndeshje të zhvilluara.
“Unë nuk jam i kënaqur nga forma ime në këtë sezon. Sigurisht që unë e di se nga sulmuesit, si puna ime, priten gola, madje sa më shumë që të jetë e mundur. Do të përpiqem që të shënoj që në ndeshjen më të parë”, tha “Lordi” që sezonin e kaluar ishte golashënuesi më i mirë më 19 gola në 29 ndeshje, por që tani, sikurse ai e pranon edhe vetë, nuk ndodhet në formën e dëshiruar të golashënuesit.
Sfidanti.al